Projekte dhe aktivitete

Qytetet Inteligjente e ardhmja e çdo bashkie

Qytetet Inteligjente e ardhmja e çdo bashkie

Zhvillohet në Tiranë konferenca “Bashkitë/Qytetet Urbane Inteligjente dhe Industritë e Energjisë Efiçente 2018” organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Danimarkës në Kroaci - Këshilli Tregëtar Danez për Shqipërinë dhe mbështetur nga Shoqata për Autonomi Vendore.

I ftuar në këtë aktivitet kryetari i SHAV, Erion Veliaj, vuri theksin tek rëndësia që kanë projektet nën nismën “Smart City Tirana” dhe zhvillimin integral të qyteteve nëpërmjet mjeteve teknologjike dhe ekologjike. Ai solli shembullin e Tiranës si qytetin e parë në Ballkan që ka sjellë sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Sharing”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet.

Ai deklaroi se deri në vitin 2030, rreth 50 për qind e transportit në Tiranë do të ndodhë me biçikletë. “Në fakt, ambicia jonë është që deri në vitin 2030 ne të kapim Kopenhagenin, pra 50 për qind e udhëtimeve në Tiranë të ndodhin me biçikletë. Sot jemi në nivelin 6 për qind, por para një viti ishim vetëm 3 për qind. Do të thotë që pavarësisht se shifrat janë modeste, nëse vazhdojmë me këtë progresion të dyfishimit të lëvizjeve me biçikletë në qytet, falë edhe futjes së risive teknologjik, unë besoj që shumë shpejt do jemi në rrugë të mbarë për të bërë një mini Kopenhagen kur vjen puna te disa nga këto risi”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, kryetari Veliaj prezantoi edhe një sërë nismash që ka ndërmarrë në më pak se tre vite Tirana, e cila jo vetëm që ka rritur transparencën, por njëkohësisht edhe ka modernizuar shërbimet. Veliaj solli shembullin pozitiv të projektit inovativ të rezervimit të një vendi parkimi nëpërmjet telefonit, që ka krijuar lehtësira të ndjeshme për qytetarët, duke shmangur si kontaktin fizik me punonjësit, ashtu edhe ka ulur harxhimin e kohës që kërkohej me mënyrën se si veprohej deri më tani. “Mbaj mend një nga eksperimentet e para që bëmë për “Tirana Smart City” ishte pagesa e parkingut me celular. Në fillim fare mbaj mend debatin dhe histerinë që vjen pas çdo ndryshimi të madh. Njerëzit që thoshin, kryetar parkimi ishte falas, tani është bërë me lekë.” -  u shpreh kryetari Veliaj.  

Nga ana tjetër në konferencë u diskutua dhe raporti i komuniteteve me reformin e thellë territoriale. Ishte kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, njëkohësisht edhe nënkryetare e SHAV e cila u shpreh se: “Paralelisht me implementimin e reformës territoriale, ka ardhur momenti që si zonat urbane po ashtu dhe ato rurale të përfshihen në “smart solution” në çdo drejtim dhe projekt që implementohet. Danimarka me Kopenhagenin duhet të merret si një model të “Smart City” për planifikim, zhvillim dhe urbanizim të jetës dhe shoqërisë shqiptare. Kjo duke mundësuar dhe një bashkëpunim apo binjakëzim të bashkive të komunave lokale mes dy vendeve.” – theksoi në fjalën e saj Bufi.

Qytetet Inteligjente janë një manifestim i ndërthurjes ose bashkëveprimit të objekteve “Internet of Things”, të cilat me anë të funksionit teknologjik arrijnë të bashkërendojnë organizimin e një strukture. E gjithë kjo ndodh për të lehtësuar jetën e përditshme të kujtdo që i vë në funksion personal ose për të rritur efiçencën e aktiviteteve. Ky koncept është prezantuar prej vitesh në qytete të ndryshme europiane përmes projekteve që kanë ndryshuar mënyrën sesi ndërveprohet me qytetin.