Projekte dhe aktivitete

SHAV bashkëpunon me NALAS për menaxhimin e situatës pas tërmetit

11 Dhjetor 2019 – Tërmeti 6.4M i datës 26 nëntor shkaktoi 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur, duke lënë pas qytete dhe fshatra të dëmtuar rëndë, përfshi edhe dy qytetet më të mëdha të vendit, kryeqytetin Tiranë dhe Durrësin. 

Nisur nga kjo situatë Shoqata për Autonomi Vendore i është drejtuar Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Lokale në Evropën Jug-Lindore (NALAS), për të asistuar me ekspertizë në procesin e menaxhimit të krizës të post-tërmetit. 

NALAS iu pergjigj menjëherë thirrjes për ndihmë nga SHAV duke sjellë ekspertë me përvojë, nga Turqia dhe Maqedonia, në menaxhimin e krizave me qëllimin e bashkëpunimit me ekspertët në vend për të siguruar mbështetje për 3 bashkitë e qarqeve Tiranë, Durrës dhe Lezhë të prekur nga tërmeti.

Prej disa ditësh drejtoresha Zj. Adelina Farrici dhe ekipi i ShAV, janë duke shoqëruar ekspertët në terren së bashku me përfaqësues të bashkive të prekura nga termeti. Në bashkëpunim me NALAS, së bashku me ekspertët e huaj, pas vizitës në qytetin e Durrësit, ditën e sotme Shoqata për Autonomi Vendore u ndal në bashkinë e Krujës për tu njohur më nga afër me situatën në këtë bashki.

Në ditët në vijim, SHAV dhe ekspertët e NALAS do të vazhdojë me procedurën e ekzaminimit edhe në bashkitë e tjera të prekura, nga ku pritet që ekspertët të bëjnë një vlerësim të situatës dhe më pas të ofrojnë rekomandimet për hapat e metejshëm në tejakilimin e kësaj krize në fazën post-emergjente.