Projekte dhe aktivitete

Rrisim kapacitetet njerëzore të bashkive përmes trajnimeve për Menaxhimin e Ciklit të Projekteve

Në kuadër të rritjes së kapaciteve njerëzore të bashkive të vendit, Shoqata për Autonomi Vendore (SHAV) ka zhvilluar gjatë muajit dhjetor një cikël seminaresh trajnues disa ditorë me tematikë Menaxhimin e Ciklit të Projektit (MCP).

Menaxhimi i Ciklit të Projektit (MCP) është një metodë e menaxhimit të projekteve që bazohet në përcaktimin e saktë të fazave të ciklit të jetës së një projekti me aktivitete menaxhuese të përcaktuara mirë dhe me procedura vendimmarrëse të lidhura me çdo fazë.  

Përcaktimi i qartë dhe realist i objektivave të projekteve dhe programeve është një ndër objektivat kryesore të trajtuara gjatë seminarit nga SHAV si pikënisja e Menaxhimit të Ciklit të një Projekti. 

Në vazhdimësi u trajtua edhe tema mbi sigurimin e një cilësie të lartë përgjatë gjithë ciklit të projektit (si p.sh. përzgjedhja e një teknologjie të përshtatshme, respektimi i vlerave social-kulturore, kapacitetet institucionale, qëndrueshmëria, etj.) si dhe tema mbi sigurimin e konsistencës dhe kontributit drejt “objektivave afatgjata të politikave” të cilat janë pika të rëndësishme dhe mundësojnë vazhdimësinë e suksesshmre të projektit. 

Gjatë seminarit u fol gjithashtu për mënyrën e realizimit të; studimeve të mundshmërisë, monitorimit dhe vlerësimit, vendimmarrjes dhe komunikimit, si dhe dokumentimit të ndryshimeve/mësimeve të nxjerra përsa i përket planit operacional. 

Shoqata për Autonomi Vendore (SHAV) përmes këtij seminarit trajnues, synon të pajisë pjesëmarrësit me aftësitë për të kuptuar ciklin e menaxhimit të një projekti, fazat e planifikimit, metodologjitë, analizat dhe shkrimi i projekteve.

Zhvillimi professional në radhët e punonjësve të bashkive është një kusht i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e autonomisë vendore. 

Në këtë cikël seminaresh trajnimi kontributor ishin dhe kolegët e #ANTTARC ofruan ekspertizën e tyre në ciklin e MCP si një prej metodave më avangarde të përdorura nga organizatat ndërkombëtare.