
Nis zbatimin projekti “Renta4Bashkitë” i cili synon rritjen e masës së rentës për bashkitë e vendit në kuadër të forcimit të autonomisë lokale dhe financiare.
Proçeset reformuese të ndërmarra vitet e fundit për pushtetin vendor kanë sjellë ndikimin e tyre pozitiv në buxhetin e bashkive, veçanërisht me Ligjin 68/2017 të financave vendore. E megjithatë dhe ky ligj nuk solli përfitime të rritura për bashki me pasuri të mëdha nëntokësore në territorin e tyre.
25% e bashkive zotërojnë në territorin e tyre pasuri të mëdha natyrore dhe ku operojnë 40 - 48% e licensave aktive. Këto bashki sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018 renditen mes bashkive me nivel të lartë varfërie, pavarësisht pasurive natyrore të tyre. Bashkitë kanë adresuar vazhdimisht tek Shoqatat, kërkesa për të rritur nivelin e rentës për bashkitë mbi 5%, si dhe thjeshtimin e mekanizmave deri tani burokratikë të cilat kanë çuar në mospërthithjen as të 5% të garantuar nga ligji.
Për këtë arsye Shoqata për Autonomi Vendore (SHAV) dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë (SHBSH) kanë bashkuar përpjekjet e tyre lobuse për të sjellë ndryshim të përqindjes së rentës në favor të bashkive dhe në funksion të rritjes së standardit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Pjesë e kësaj përpjekje është nisja e zbatimit të projektit “Renta4Bashkitë-R4B” i cili do të zbatohet në 30 bashki të vendit përmes zhvillimit të një fushate advokimi për të kryer ndryshimet e nevojshme brenda një periudhe kohere prej 9 muajore nga SHAV dhe SHBSH.
Ky projekt vjen në kuadër të projektit ‘Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri (ideAL)’ implementuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me European Policy Center (Bruksel) dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Projekti “Renta4Bashkitë-R4B” synon rritjen e kapaciteteve të nevojshme të burimeve njerëzore të këtyre bashkive në funksion të rritjes së kapaciteteve vlerësuese të bashkive, njohuritë e tyre mbi mënyrën dhe ndjekjen e procedurave për marrjen e rentës, njohjen e kuadrit ligjor, etj.
ShAV dhe ShBSh do të punojnë me të gjithë aktorët teknikë dhe do të lobojnë me aktorët politikë për të rritur ndërgjegjësimin e tyre në funksion të objektivit për ndryshime ligjore në funksion të rritje së nivelit të rentës sipas tre opsioneve, ku renta në favor të bashkive të arrijë të paktën dyfishimin e saj.
Projekti mëton të kontribuojë ne forcimin e autonomisë fiskale dhe financiare të Njësive të Qeverisjes Vendore si element i rëndësishëm i decentralizmit dhe forcimit të demokracisë vendore në Shqipëri.