
Tryezë Rajonale ne kuadër të projektit “Renta4Bashkitë-R4B” në Bashkitë Bulqizë, Roskovec dhe Dimal
Një pjesë e mirë e bashkive në Shqipëri zotërojnë në territorin e tyre pasuri të mëdha natyrore por gjithsesi këto bashki renditen mes bashkive me nivel të lartë varfërie, pavarësisht pasurive natyrore të tyre.
Si pasojë e adresimit të kërkesave të vazhdueshëm të bashkive tek Shoqatat, për të rritur nivelin e rentës për bashkitë mbi 5%, dhe thjeshtimin e mekanizmave për përthithjen e 5% të garantuar nga ligji, Shoqata për Autonomi Vendore në bashkëpunim me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë dhe me mbështetjen e bashkive në vend ka organizuar gjatë muajit Maj ciklin e takimeve dhe trajnimeve në Tryeza Rajonale në bashkitë Bulqizë, Roskovec dhe Dimal për rritjen potenciale të rentës në kuadër të projektit “Renta4Bashkitë-R4B”.
Projekti “Renta4Bashkitë-R4B” synon rritjen e kapaciteteve të nevojshme të burimeve njerëzore të këtyre bashkive në funksion të rritjes së kapaciteteve vlerësuese të bashkive, njohuritë e tyre mbi mënyrën dhe ndjekjen e procedurave për marrjen e rentës, njohjen e kuadrit ligjor, etj. si dhe synon të kontribuojë në forcimin e autonomisë fiskale dhe financiare të Njësive të Qeverisjes Vendore si element i rëndësishëm i decentralizmit dhe forcimit të demokracisë vendore në Shqipëri.
Gjatë takimeve dhe trajnimeve aktorët teknik të pushtetit vendor u prezantuan me ndryshimet e mundshme ligjore në kuadrin e ligjeve të rëndesishme, si ai i taksave kombëtare dhe ai i financave vendore.
Me kryebashkiakët u diskutua mbi mundësitë që projekti “Renta4Bashkitë-R4B” krijon për nevojat e komunitetit të njësive vendore duke theksuar meritën e bashkive për më shumë të ardhura prej rentës në raport me përfitimet që ato i japin vendit.
Projekti “Renta4Bashkitë-R4B” vjen në kuadër të projektit ‘Dialog për zhvillim politikash gjithëpërfshirëse në Shqipëri (ideAL)’ implementuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me European Policy Center (Bruksel) dhe me mbështetjen financiare të European Union in Albania.