
SHAV vizitë zyrtare në Serbi për forcimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin rajonal
Shoqata për Autonomi Vendore (SHAV) ndodhet në një vizitë zyrtare në Konferencën e Përhershme të Qyteteve dhe Bashkive që po zhvillohet në Beograd mes datave 15 dhe 16 mars 2022. Vizita u organizua në kuadër të forcimit të kapaciteteve dhe marrëdhënieve midis dy shoqatave rajonale.
Drejtoresha Ekzekutive e SHAV, Adelina Farrici, falënderoi për mikpritjen dhe organizimin nga pala serbe, duke prezantuar gjithashtu homologët mbi aktivitetin e Shoqatës dhe projektet e saj. Zj. Farrici theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave mes dy shoqatave dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Nikola Tarbuk, Sekretari i Përgjithshëm i SCTM-së, u uroi mirëseardhjen të ftuarve nga Shqipëria dhe shprehu gatishmërinë e organizatës për të mbështetur SHAV në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve si dhe në vendosjen e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy shoqatave me qëllim forcimin e sistemeve të vetëqeverisjes lokale në dy vendet.
Gjatë vizitës dy ditore SHAV do të prezantohet me sistemin kombëtar të trajnimit të përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe rolit të SCTM-së në të, metodologjinë e përgatitjes së trajnimeve, si dhe kapacitetet e nevojshme teknike për trajnim.
Kjo vizitë u organizua në kuadër të aktiviteteve të Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore (NALAS).