
Nis procesi i konsultimit publik mbi Strategjinë e re të Decentralizimit në RSH.
Shoqata për Autonominë Vendore (SHAV) me mbështetjen e projektit zviceran “Bashki të Forta” ka nisur fushatën e konsultimit publik në kuadër të hartimit të Strategjisë së re të Decentralizimit të Republikës së Shqipërisë. Ky proces do të zbatohet në koordinim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Ministrinë e Brendshme dhe do të zbatohet në disa qarqe të vendit përgjatë muajit korrik 2022.
Kjo nisëm vjen si përgjigje ndaj procesit të udhëhequr nga Qeveria Shqiptare për hartimin e Strategjisë së re të Decentralizimit bazuar në Urdhrin e Kryeministrit nr. 76, datë 22.4.2022 “Për krijimin e grupit politik ndërinstitucional dhe grupit teknik të punës për hartimin e strategjisë ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore dhe planin e veprimit të saj, 2023-2030”, si dhe në vijim të shkresës nr. 3459 datë 9.5.2022 të Ministrisë së Brendshme “Kërkesë për përfaqësues”, ku shoqatat e pushtetit vendor janë anëtarë të grupit të punës politiko-teknik të strategjisë së decentralizimit.
Nisma ka për qëllim të identifikojë mangësitë, sfidat dhe zgjidhjet e njësive të vetëqeverisjes vendore në zbatimin e politikave të decentralizimit dhe funksioneve të qeverisjes vendore. Gjetjet të cilat do të jenë të aksesueshme për grupet e interesit dhe publikun, do të kontribuojnë në hartimin me pjesëmarrje të rekomandimeve për Strategjinë e Re të Decentralizimit 2023-2030.
Objektivi i këtij bashkëpunimi me pjesëmarrje do të kontribuojnë në hartimin me pjesëmarrje të rekomandimeve të strategjisë së re të decentralizimit 2023-2030 si dhe në funksion të punës së grupit teknik dhe politik të decentralizimit.
Më specifikisht përmes këtyre takimeve konsultuese do të synohet hartimi i vizionit të politikave 2023-2030 i parë nga perspektiva e Njësive të Qeverisjes Vendore, identifikimi i boshllëqeve të politikave dhe ofrimi i skenarëve për përmirësimin e tyre si dhe masat e propozuara shoqëruar nga objektivat në nivel të mundshëm.
SHAV do të vazhdojnë përgjatë muajit Korrik organizimin e takimeve në bashkitë e vendit me pjesëmarrje nga komunitetet dhe ekspertët lokal, dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.
Raporti përfundimtar i gjetjeve do t'i dorëzohet AMVV dhe MB në javën e fundit të korrikut 2022.
Kjo nisëm mbështetet nga “Bashki të Forta”, një projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, zbatuar në Shqipëri nga HELVETAS.